Shkolla organizon kursin e trete me teme "Ballkani Perėndimor dhe Integrimi Europian"

E Merkure, 06 Maj 2009



Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike organizoi kursin e saj te tretë dhe te fundit kombëtar me temë "Ballkani Perëndimor dhe Integrimi Europian", në datat 1-3 Maj 2009, në qytetin e Vlorës.

Për vetë rëndësinë kyçe në perspektivat e zhvillimit të vendit, studimi i çështjeve të integrimit europian zë një vend qendror në programin e SHSHSP. Synimi i kursit të tretë të SHSHSP ishte pikërisht zgjerimi i njohurive dhe i kuptimit të procesit të integrimit Europian dhe zgjerimit të BE si pjesë integrale e këtij procesi. Për këtë qëllim, kursi u konceptua si një studim në tre faza, ku faza e pare u fokusua në studimin e stadit aktual të integrimit të BE si një entitet sui-generis, ndërsa faza e dytë dhe e tretë u përqëndruan në politikat dhe mekanizmat integruese të BE përkundrejt rajonit të Europës Juglindore dhe Shqipërisë respektivisht.

Ndër momentet me te spikatura të kursit ishin diskutimet mbi kushtëzimin teknik dhe politik të anëtarësimit të vendeve të Europës Juglindore, përfshi dhe Shqipërinë, në BE, të parashikuar në Procesin e Stabilizim-Asociimit, si dhe një lojë me role mbi kërkesën për anëtarësim të Turqisë.

Sesionet e kursit u drejtuan nga ekspertë shqiptarë dhe të huaj si Z. Tomas Bertin, këshilltar politik i Përfaqësisë Franceze pranë komitetit politiko-ushtarak të Komisionit Europian, Dr Alexis Vahlas, këshilltar politik në shtabin e NATOs në Napoli dhe lektor I të drejtës ndërkombëtare, Z. Ylli Cabiri, ekspert i çështjeve ekonomike të BE dhe Drejtor i Qendrës së Promovimit të Zhvillimit, Dr Judith Hofman, eksperte e çështjeve të integrimit të vendeve të Europës JL në BE dhe lektore ne Free University Berlin, Z Ditmir Bushati, Drejtues i Lëvizjes Europiane, Z Arben Kashahu, Sekretar I Përgjithshëm në Ministrinë e Integrimit Europian.

Në kuadër të aktiviteteve ekstrakurikulare Shkolla organizoi gjithashtu disa ekskursione në disa pika të afërta turistike të Vlorës, ndërmjet të cilëve një ekskursion në Kalanë e Kaninës, pjesë e trashëgimnisë kulturore shqiptare.